The Lahore Ahmadiyya Movement
presenting Islam as peaceful, tolerant, rational, inspiring
Home
1. Islam
2. Publications
3. Activities
4. Ahmadiyya Movement
5. Hazrat Mirza Ghulam Ahmad
6. Non-English material

Our literature in Albanian

Islami Feja e Njerëzimit

2. DISA VEÇORI DALLUESE TË ISLAMIT

Utilities:
Discussion forums
Site Statistics
Contact us
Search the website

 

2. DISA VEÇORI DALLUESE TË ISLAMIT

Besimi në të gjithë profetët

Veçoria e madhe e Islamit është se ai kërkon që pasuesit e tij të besojnë që të gjitha fetë e mëdha të botës që kanë qënë të përhapura përpara tij janë shfaqur nga Zoti. Kësisoj, Islami hedh bazat e paqes dhe harmonise midis feve të botës. Sipas Kuranit të Shenjtë, nuk ka asnjë komb në botë në të cilin të mos jetë shfaqur një profet: "Nuk ka asnjë popull në gjirin e të cilit të mos ketë shkuar një paralajmëtar" (35:24). Më tej na thuhet se ka pasur profetë të tjerë përveç atyre që përmenden në Kuran: "Dhe Në të dërguam lajmëtarë që t'i kemi përmendur më parë, si dhe lajmëtarë të cilët Ne nuk t'i kemi përmendur" (4:164). Pra, Kurani jo vetëm parashtron teorinë se profetë janë shfaqur në të gjithë kombet, por shkon më tutje dhe e kërkon si domosdoshmëri që muslimanët të besojnë në të gjithë ata profetë (2:136, 177, 285). Gjithashtu, ndonëse besimi Islam përmblidhet në dy fjali të shkurtra, "Nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe Muhamedi është Apostulli i Tij", personi i cili e shpreh besimin në Muhamedin, duke e bërë këtë, ai pranon të gjithë profetët e botës, pavarësisht nëse emrat e tyre janë përmendur në Kuran ose jo. Kështu, Islami i del për zot një universalizmi për të cilin nuk mund të aspirojë asnjë fe tjetër, si dhe hedh bazat e një vëllazërimi gjithpërfshirës sa vetë njerëzimi.

Përsosja e fesë

Mirëpo misioni i madh i Islamit nuk ishte që të predikonte vetëm ketë të vërtetë, e cila, për shkak të izolimit nga njeri-tjetri të kombeve të ndryshëm të botës, nuk ishte predikuar më parë, por dhe të korigjonte gabimet të cilat kishin gjetur mënyrën për t'u futur ëe fe të ndryshme, të shoshiste të vërtetën nga gabimi, të predikonte të vërtetat të cilat nuk ishin predikuar më parë për shkak të rrethanave të veçanta të shoqërisë ose të etapave të herëshme të zhvillimit të saj, dhe, më e rëndësishmja e të gjithave, të bashkonte tok në një libër të vetëm të vërtetat që përmbante çdo shfaqje Hyjnore që i ishte dhuruar një populli për t'i treguar njeriut rrugën e drejtë; dhe në fund fare, të përmbushte të gjitha kërkesat morale e shpirtrore të një shoqërie njerëzore në përparim të vazhdueshëm. Kështu Islami pretendon me të drejtë se është shprehja përfundimtare dhe më e përsosur e vullnetit të Zotit, siç thotë Kurani:

"Në këtë ditë e kam përsosur Unë për ju fenë tuaj dhe e kam përmbushur mirësinë Time ndaj jush dhe kam zgjedhur për ju Islamin si fe" (5:3).

Gjithashtu, Kurani i Shenjtë përmendet si libër me "faqë të dlira, ku janë (të përfshirë të gjithë) librat e drejtë" (98:2,3), që do të thotë se të gjithë ato udhëzime të drejta që janë të nevojshme për ta udhëhequr njeriun në rrugë të drejtë, qofshin të shfaqura më parë ose jo, gjejnë shprehje të plotë në këtë Libër të Shenjtë.

Uniteti i njerëzimit

Në përputhje me skemën Hyjnore, sipas së cilës profetët u shfaqën për rigjenerimin e botës, siç zbulohet në Kuran, çdo komb ka pasur profetët e vet. Pra, ndonëse dalja e profetëve ka qenë në një kuptim fakt universal, profetizmi ka qenë pak a shumë institucion kombëtar, ku spektri i mësimeve të një profeti kufizohej brenda kombit të vet. Prandaj hapi përfundimtar në institucionin e profetizmit ishte ardhja e një profeti për të gjithë kombet, kështu që idea madhështore e unifikimit të tërë racës njerëzore të mund të realizohej përsosmërisht. Misioni i Profetit të Shenjtë Muhamed përshkruhet kështu në Kuranin e Shenjtë: "I bekuar qoftë Zoti i Cili dërgoi poshtë Furkanin (Kuranin) tek shërbëtori i Tij që ai të jetë paralajmëtar për të gjithë kombet" (25:1); dhe "Thuaj: O njerëzim , sigurisht unë jam Lajmëtari i Zotit për ju të gjithë" (7:158). Prandaj Profeti Botëror zuri vendin e profetëve kombëtare, të gjitha pengesat gjeografike u fshinë si dhe të gjitha barrierat e ngjyrës e të racës, dhe mbi parimin e madh se "njerëzimi është një komb i vetëm" (2:213) u hodhën bazat e unitetit të racës njerëzore.

Duhet shtuar se një unitet i tillë i njerëzimit nuk mund të kryhej po të mos realizohej përfundimi i procesit të shfaqjes së profetëve, sepse në qoftë se do të vazhdonin të shfaqeshin profetë dhe pas daljes së Profetit Botëror, ata padyshim do t'u vinin kazmën themeleve të unitetit që synonte të realizonte Islami duke i dhënë të gjithë botës një profet të vetëm. Se këndejmi buron dhe thënia se Profeti i Shenjtë Muhamed është "Lajmëtari i Zotit dhe i fundmi i profetëve" (33:40). Mund të shtohet më tej se qëllimi i dërgimit të një profeti tek një popull ishte për të vënë në dukje rrugët që duhet të ndiqnin njerëzit për të vendosur lidhje të forta shpirtrore me Zotin. Ai qëllim arriti përsosmërinë nëpërmjet Profetit të madh Botëror, mesazhi i të cilit ishte aq i përsosur sa i përmbushte kërkesat jo vetëm për të gjithë kombet bashkëkohës por dhe për të gjithë brezat e ardhshëm. Kjo pretendohet qartë nga Kurani (shih 5:3 të cituar më lart), një pretendim që nuk parashtrohet nga ndonjë fe tjetër. Meqenë se feja kështu arriti përsosmërinë, nuk mbeti nevojë për ndonjë fe tjetër pas Islamit apo për ndonjë profet tjetër pas Profetit Muhamed.

Një fe historike

Dëshiroj të vë në dukje dhe një veçori tjetër të Islamit nëpërmjet kësaj hyrjeje. Nuk ka asnjë dyshim se Islami është një fe historike dhe Themeluesi i saj i Shenjtë një personazh historik. Është një fakt që edhe një kritik armiqësor i Islamit është i detyruar ta pranojë. Çdo ngjarje në jetën e Profetit të Shenjtë mund të lexohet në dritën e historisë. Gjithashtu, Kurani i Shenjtë, i cili është burimi i të gjitha ligjeve shoqërore e shpirtrore të Islamit, siç është nënvizuar nga Bosuorth Smithi,{1} është "një libër absolutisht i pashembullt në origjinën e tij, në ruajtjen e tij . . . në autenticitetin thelbësor të të cilit askush nuk ka qenë në gjendje ndonjëherë të hedhë ndonje dyshim serioz." Bile dhe Muiri{2} e pranon se "ndoshta nuk ka vepër tjetër në botë që të ketë ruajtur për dymbëdhjetë shekuj një tekst kaq të pastër", dhe shton me Von Hammer-in se "ne kemi mendimin se Kurani është fjala e Muhamedit po me atë shkallë sigurie që muhamedanët besojnë se ajo është fjala e Zotit."

Duke pasur një libër të shfaqjes Hyjnore të ruajtur në mënyrë kaq të sigurtë gjatë shekujve si udhërrëfyes drejt mirëqenies se tij shpirtrore e morale, si dhe duke pasur shembullin e një Profeti kaq të madh e fisnik, përvojat e larmishme të të cilit në jetë ofrojnë rregullat më të mira të sjelljes në të gjitha etapat e ndryshme të jetës njerëzore, muslimani është i sigurtë se nuk ka hedhur poshtë asnjë të vërtetë që i është zbuluar ndonjëherë nga Zoti ndonjë kombi, dhe se ai nuk ka mohuar (barazuar me zero) asnjë të mirë që mund të gjëndet në jetën e një njeriu të mirë. Kësisoj muslimani jo vetëm beson në të vërtetën e të gjitha shfaqjeve Hyjnore dhe i pranon udhëheqësit e shenjtë të të gjithë popujve, por dhe i ndjek të vërtetat e përhershme e të qëndrueshme që gjenden në ato shfaqje Hyjnore duke pranuar e zbatuar më të fundit e më kuptimplotet prej tyre, si dhe i imiton të gjithë njerëzit e mirë në gjithshka të mirë që kanë në jetën e tyre duke marrë si model elzemplarin më të përkryer.


{1} Autor i librit "Muhamedi dhe Muhamedanizmi" (Londër, 1889)

{2} Sir William Muir, autor i librit "Jeta e Muhamedit" dhe i librave të tjerë mbi Islamin, dhe një kritik armiqësor i Islamit, i cili jetoi në shekullin e 19-të.


 

 
Top
Next
Website created and published by: Ahmadiyya Anjuman Isha`at Islam Lahore Inc. U.S.A.
Contact us.