6. JETA PAS VDEKJES
Besimi në një jetë të ardhme, në
një formë apo në një tjetër, është
gjithashtu e përbashkët për të gjitha fetë
e botës, dhe është neni i tretë themelor i besimit
të muslimanit. Mirëpo misteri i jetës pas vdekjes askund
nuk është zgjidhur aq qartë sa në Islam. Idea e
jetës pas vdekjes ka qënë aq e errët deri vonë,
deri në kohën e daljes së fesë çifute, sa
që jo vetëm se nuk gjëndet shumë për këtë
e shprehur në Testamentin e Vjetër, por një sekt i rëndësishëm
çifut në fakt e mohonte fare ekzistencën e një
gjëndjeje të tillë. Megjithate, kjo lidhet me faktin
se në shfaqjet më të hershme nuk ishte hedhur shumë
dritë mbi këtë. Besimi në ‘transmigracion’ (apo
rimishërim i shpirtrave) kishte të bënte dhe me mendjen
e pazhvilluar të njeriut që realitetet shpirtrore gabimisht
i merrte për fakte fizike. Ne Islam, idea e jetës së
përtejme arriti përsosmërinë e saj, siç ndodhi
dhe me parime të tjera të rëndësishme e themelore
të fesë. Besimi në një jetë të ardhshme
nënkupton dhënien llogari të njeriut në një
jetë tjetër për veprimet e bëra në këtë
jetë. Besimi padyshim është një bazë shumë
e vyer për ngritjen morale të botës në qoftë
se kuptohet si duhet. Pikat e mëposhtëme theksohen në
mënyrë të veçantë nga Kurani i Shenjtë.
Jeta pas vdekjes është vetëm një
vazhdim i jetës këtu poshtë
Hendeku që përgjithësisht vihet ndërmjet
kësaj jete dhe jetës pas vdekjes është pengesa më
e madhe në zgjidhjen e misterit të jetës së përtejme.
Islami bën që të zhduket fare ky hendek: ai bën
që jeta e ardhshme të konsiderohet thjesht si vazhdim i jetës
së tanishme. Për këtë pikë Kurani i Shenjtë
shprehet fare qartë. Aty thuhet:
"Ne kemi bërë (pikërisht
në këtë jetë) që pasojat e veprave të
njeriut t’i ngjiten atij për qafe, dhe këto pasoja të
fshehta Ne do t’i nxjerrim në shesh në Ditën e Ringjalljes
në formën e një libri krejt të hapur" (17:13,14).
Dhe përsëri aty thuhet:
"Kushdo që është
i verbër në këtë jetë, do të jetë
i verbër edhe në botën e përtejme; po, dhe do të
largohet gjithnjë e më shumë nga rruga e drejtë"
(17:72).
Kurse në një vend tjetër kemi:
"O shpirt që je në prehje!
Kthehu tek Zoti yt, se Ai është i kënaqur me ty dhe ti
je i kënaqur me Atë. Pra hyr midis shërbyesve te Mi dhe
hyr në Kopështin Tim" (89:27-30).
E para e këyre citimeve e bën të qartë
se faktet e mëdha që do të dalin në dritë diten
e Gjykimit nuk do të jenë diçka e re, por vetëm
një manifestim i asaj që është fshehur këtu
nga syri fizik. Prandaj jeta pas vdekjes nuk është një
jetë e re, por vetëm një vazhdim i kësaj jete që
nxjerr në dritë realitetet e saj të fshehura. Dy citimet
tjera tregojnë se një jetë qiellore apo një jetë
skëterre – të dyja fillojnë në këtë botë.
Verbëria e jetës së ardhshme është skëterrë,
por sipas vargjeve të cituara vetëm ata që janë
të verbër këtu do të jenë të verbër
dhe në jetën e përtejme, duke e bërë të
qartë se verbëria shpirtrore e kësaj jete është
skëterra e vërtetë, dhe që këtej ajo merret
me vete në botën tjetër. Po ashtu, është pikërisht
shpirti që ka gjetur paqe e prehje të përsosur ai që
grishet për të hyrë në parajsë pas vdekjes,
duke treguar kështu se parajsa e botës tjetër është
vetëm një vazhdim i paqes e prehjes që njeriu gëzon
shpirtrisht në këtë jetë. Kështu, është
e qartë se, sipas Kuranit të Shenjtë, jeta e përtejme
është një vazhdim i kësaj jete, dhe vdekja nuk është
një ndërprerje por një hallkë lidhëse, një
derë që hap realitetet e fshehura të kësaj jete.
Jeta pas vdekjes është një shembëllim
i gjendjes shpirtrore në këtë jetë
Me Islamin është hedhur dritë e plotë
mbi të vërtetën më kuptimplote përsa i përket
jetës së përtejme. Në mësimet kristiane truporja
dhe shpirtrorja shkrihen bashkë; për të qarat e vajtimet
e kërcitjet e dhëmbëve dhe zjarrin e pashuar si ndëshkim
për të liqtë flitet me të njejtën shtrirje
si për mbretërinë e qiellit, thesaret e qiellit dhe jetën
e përhershme si shpërblim për të drejtët; mirëpo
nuk jepen tregues të qartë të burimeve të njerës
apo të tjetrës. Nga ana tjetër, Kurani i Shenjtë
e bën të qartë se gjendja pas vdekjes është
një përfaqësim i plotë, një shembëllim
i qartë e i plotë, i gjendjes sonë shpirtrore në
këtë jetë. Këtu kushtet e mira ose të këqia
të veprave ose besimeve të një njeriu janë latente
(të pranishme por të padukshme) brenda tij; helmi apo ballsami
i tyre lëshojnë ndikimin e vet mbi të vetëm në
mënyrë të fshehtë, por në jetën e ardhshme
ato do të bëhen të dukshme e të qarta si drita e
diellit. Trajta që marrin veprat tona e pasojat e tyre në
këtë jetë nuk është e kapshme nga syri i njeriut
në këtë jetë, por në jetën e përtejme
ajo do të shpaloset në tërë qartësinë
e saj. Prandaj dhe kënaqësitë e vuajtjet në jetën
e ardhshme, ndonëse shpirtrore në realitet, nuk do t’i fshihen
syrit të zakonshëm siç ndodh me faktet shpirtrore në
këtë jetë. Eshtë për këtë arsye që
ndërsa, nga njëra anë, hiret e të mirat e jetës
së përtejme përmenden me emra fizikë si dëshmi
e shfaqjes së tyre të qartë përpara syve, nga ana
tjetër ato përmenden si gjëra të cilat "syri
nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar, as nuk ka arritur
dot zemra e njeriut që t’i ndjejë a t’i provojë".
Ky përshkrim i hireve e bekimeve të jetës së ardhshme
është vërtet një shpjegim i dhënë nga
vetë Profeti i Shenjtë për vargun e Kuranit ku thuhet
se askush nuk i di hiret e gëzimet të cilat i janë mbajtur
të fshehta (32:17).
Vargjet e mëposhtme të Kuranit të Shenjtë,
të cilat rëndom mund të keqkuptohen, nuk i përshkruajnë
fare hiret e kënaqësite qiellore si të njëllojta
me gjërat e kësaj bote. Në to thuhet:
"Dhe jepi lajme të gëzuara
atyre që besojnë e bëjnë vepra të lavdërueshme,
se për ta janë kopështet nëpër të cilët
rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet një sasi me fruta
prej andej, ata do të thonë: ‘Ja nga këto na janë
dhënë neve më parë,’ dhe atyre u jepen gjëra
të ngjashme me ato" (2:25).
Tani frutat për të cilat të drejtët
do të thonë se i kanë shijuar në këtë
jetë nuk është e mundur që të jenë frutat
e pemëve ose gjërat e kësaj jete. Këto vargje, në
fakt, na thonë se ata që besojnë e bëjnë vepra
të mira përgatisin një parajsë për vete me
duart e tyre, ku frute do të jenë veprat e tyre të mira.
Pikërisht nga frutet e këtij kopështi ata do të
shijojnë shpirtërisht këtu, si dhe nga të njëjtat,
vetëm se në një trajtë më të kapshme e
të qartë, do të hanë ata në jetën tjetër.
Mund të citojmë dhe një varg tjetër që vazhdon
të njejtën ide: "Atë ditë ju do te shihni burrat
e devotshëm dhe gratë e devotshme, me dritën që
shkëlqen përpara tyre në krahun e tyre të djathtë"
(57:12). Ky varg tregon se drita e besimit nga e cila ishin udhëhequr
në këtë jetë burrat e gratë e drejtë e
të moralshëm, dhe e cila mund të shihej këtu vetëm
me syrin shpirtror, do të shihet qartë duke ndriçuar
përpara besimtarëve në ditën e Ringjalljes.
Si në rastin e hirësive e kënaqësive
të parajsës, edhe ndëshkimi i ferrit është
një shembëllim i torturave shpirtrore të kësaj jete.
Ferri thuhet se është një vend ku njeriu as nuk do të
jetojë, as nuk do të vdesë (20:74).
Duhet të kujtojmë në lidhje me këtë
se Kurani i përshkruan ata që bien në gabime e ligësi
si të vdekur e pajetë, kurse të mirët i quan të
gjallë. Sekreti i kësaj është se mjetet e jetës
së atyre që e lënë pas dore Zotin, duke u dhënë
vetëm pas të ngrënit e të pirit dhe kënaqjes
së dëshirave të tyre fizike, do t’u ndërpriten me
vdekjen e tyre. Ata nuk kanë pjesë në ushqimin shpirtror,
prandaj dhe, duke iu mohuar jeta e vërtetë, ata do të
ngrihen përsëri për të shijuar pasojat e këqia
të veprave të tyre të liga.
Përparimi i pakufishëm në jetën
pas vdekjes
Islami na mëson se njeriu është i destinuar
të bëjë përparime të pakufishme në jetën
pas vdekjes. Ai që e nënvizon këtë është
parimi se zhvillimi i aftësive të njeriut siç ndodhë
në këtë jetë nuk quhet i mbyllur me kaq, por një
horizont shumë më i gjërë zhvillimi shpaloset përpara
tij pas vdekjes. Ferri ka për qëllim vetëm ta pastrojë
njeriun nga ‘skorjet’, mbeturinat e padobishme, që ka grumbulluar
me duart e veta, me qëllim që ta bëjë të përshtatshëm
për përparim shpirtror në ate jetë. Vargjet 106
e 107 të kapitullit 11 të Kuranit tregojnë qartë
se ndëshkimi i ferrit nuk është i përhershëm.
Ka gjithasht Thënie të Profetit të Shenjtë dhe të
Shokëve të tij të cilat nuk lënë pikë
dyshimi se ferri është një vend i përkohshëm
për mëkatarin, qoftë musliman apo jo-musliman, dhe se
ndëshkimi i rreptë i ferrit është një ilaç
për të shëruar sëmundjet e tij shpirtrore dhe për
t’i dhënë mundësi atij që të hyjë sërish
në rrugën drejt një jete më të lartë.
As parajsa nuk është një vend për kënaqësi
të rëndomta; ajo në thelb është një vend
për t’u ngjitur në nivele gjithnjë e më të
larta (39:20). Për ata që janë në parajsë thuhet
se kanë një dëshirë të pashuar për të
arritur shkallë gjithnjë e më të larta përsosmërie;
prandaj dhe lutja e tyre është: "Zoti ynë, bëje
të përsosur për ne dritën tonë" (66:8).
|