7. DOMETHENIA E BESIMIT
Besimi në engjëjt dhe domethënia
e tij
Tani unë kam treguar shkurt tre parimet themelore
të besimit të një muslimani, por mund të shtoj më
tej se besimi në "atë që nuk shihet" përfshin
dhe një besim në ata ndihmësa që ne i quajmë
engjëj. Ky besim, ndonëse i përbashkët për
shumë fe, nuk pranohet aq gjërësisht sa tre parimet e
shpjeguara më lart, prandaj dhe nuk do të jenë pa vend
këtu disa vërejtje që kanë të bëjnë
me të vërtetën që qëndron prapa këtij
besimi. Në botën fizike e gjejmë si ligj të pranuar
se ne kemi gjithnjë nevojë për agjentë (shtytës)
të jashtëm, pavarsisht nga aftësitë e forcat brënda
nesh. Syri na është dhënë për të parë
gjërat, dhe ai i sheh ato por jo pa ndihmën e dritës
së jashtme. Veshi kap tingujt, por në mënyrë të
pavarur nga agjenti i ajrit ai nuk mund të shërbejë për
atë qëllim. Prandaj njeriu në thelb ka nevojë për
diçka përveç asaj që është brenda
tij, dhe kjo qëndron si për botën fizike ashtu dhe për
atë shpirtrore.
Pikërisht ashtu siç nuk janë të
mjaftueshme vetëm aftësitë tona fizike për të
na dhënë mundësinë që të arrijmë
një objekt të çfardoshëm në botën fizike
pa ndihmën e agjentëve të tjerë, ashtu dhe forcat
tona shpirtrore nuk munden që ato vetëm të na udhëheqin
drejt veprave të mira ose të këqia. Me fjalë të
tjera, ka dy forca tërheqëse që veprojnë në
natyrën njerëzore: tërheqja drejt të mirës
apo ajo që të shtyn për t’u ngritur në sfera më
të larta të virtytit, dhe tërheqja drejt të ligës,
apo ajo që të shtyn të ulesh poshtë e më poshtë
në një lloj jete të ulët, shtazarake. Mirëpo
për t’i vënë në lëvizje këto dy forca
tërheqëse nevojiten agjentë të jashtëm, ashtu
siç nevojiten në rastin e forcave fizike te njeriut. Ai
shtytës që e vë në veprim forcën tërheqëse
drejt të mirës quhet engjëll, kurse ai që
ndihmon në funksionimin e forcës tërheqëse drejt
të ligës quhet djall. Në qoftë se i përgjigemi
tërheqjes për të bërë mirë, ne i shkojmë
pas Shpirtit të Shenjtë, kurse në qoftë se i përgjigjemi
tërheqjes për ligësi, ne i shkojmë pas Satanit.
Prandaj domethënia reale e besimit në engjëjt është
se ne duhet ndjekim atë që na grish drejt të mirës
ose forcës tërheqëse për të bërë
mirë e cila gjëndet brenda nesh.
Besimi si bazë për veprim
Vërejtjet e mësipërme shpjegojnë
jo vetëm domethënien e besimit të muslimanit në
engjëjt, por dhe kuptimin që qëndron prapa vetë
fjalës besim. Besimi, sipas Islamit, nuk është
vetëm bindje në të vërtetën e një çështjeje
të dhënë, por është në thelb pranimi i
një çështjeje si bazë për veprim. Siç
është treguar tashmë, çështja e ekzistencës
së djajve është po aq e vërtetë sa ajo e ekzistencës
së engjëjve; mirëpo ndërsa besimi në engjëjt
përmendet vazhdimisht si pjesë e besimit të muslimanit,
neve asgjëkundi nuk na kërkohet të besojmë në
djajtë. Të dy faktet janë njëlloj të vërtetë,
dhe Kurani i Shenjtë bën fjalë në shumë raste
për insinuatat e përpjëkjet e djajve për t’i futur
njerëzit ne rrugë të gabuar, por ndërsa kërkon
që t’u zëmë besë engjëjve, ai nuk kërkon
besim në djajt. Në qoftë se besimi në engjëjt
do të ishte vetëm një ekuivalent për pranimin e
ekzistencës së tyre, edhe besimi në djajt do të
ishte domosdoshmëri e njëllojtë. Mirëpo nuk është
kështu. Arsyeja është se ndërsa njeriut i kërkohet
të pranojë e të ndjekë thirrjen e atij që të
grish drejt të mirës, atij nuk i kërkohet që të
ndjekë thirrjen e atij që të grish për të bërë
keq. Prandaj dhe ne besojmë në engjëjt por nuk besojmë
në djajt, me qenë se të parët japin bazë për
veprim, kurse të dytët jo. Nga ana tjetër, Kurani i Shenjtë
kërkon mosbesim ndaj djajve: "Kështu, kushdo që
nuk u zë besë djajve dhe beson në Zotin, ai vërtet
kapet pas lidhjes më të fortë" (2:256).
Kështu pra mund të shihet se parimet e besimit
të numëruara më sipër, ashtu siç jepen në
Kuranin e Shenjtë, janë me të vërtetë parime
që secila prej tyre shërben si bazë për veprim,
dhe asnjë besim tjetër nuk njihet nga Islami. Fjala Allãh
– fjala arabisht për Zotin – tregon atë Qenie e Cila i ka
të gjitha atributet e përsosura, dhe kur muslimanit i kërkohet
të besojë në Allahun, atij vërtet i kërkohet
që ta bëjë veten posedues të të gjitha atyre
atributeve të përsosmërisë. Besimi në shfaqjen
Hyjnore e bën atë të pranojë e të imitojë
gjithshka të mirë që ndeshet në jetën e njerëzve
të devotshëm, dhe besimi në jetën e përtejme
është ekuivalent i njohjes së parimit të llogari-dhënies
për veprimet e kryera.
|