The Lahore Ahmadiyya Movement
presenting Islam as peaceful, tolerant, rational, inspiring
Home
1. Islam
2. Publications
3. Activities
4. Ahmadiyya Movement
5. Hazrat Mirza Ghulam Ahmad
6. Non-English material

Our literature in Albanian

Islami Feja e Njerëzimit

9. DETYRAT E NJERIUT NDAJ ZOTIT

Utilities:
Discussion forums
Site Statistics
Contact us
Search the website

 

9. DETYRAT E NJERIUT NDAJ ZOTIT

Lutja

Vargjet e Kuranit të Shenjtë të cituara më lart (Shih nënkapitullin 3) formojnë, siç kam thënë tashmë, bërthamën e mësimeve të Islamit. Të marrë në kuptimin më të gjërë të fjalës, dy parimet e veprimit të përmendur në këto vargje kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrave të njeriut ndaj Zotit dhe të detyrave të tij ndaj njeriut.{1} Të luturit Zotit është thelbi i deyrave të njeriut ndaj Zotit. Lutja është një zbrazje e ndjenjave të zemrës, një kërkesë e përvuajtur, e sinqertë dhe e devotshmë ndaj Zotit, si dhe një shprehje plot respekt e dëshirave më të sinqerta të shpirtit përpara Krijuesit të tij. Në Islam idea e lutjes, si të gjitha idetë tjera fetare, gjen zhvillimin e vet më të lartë. Lutja, sipas Kuranit të Shenjtë, është mjeti i vërtetë i atij pastrimi të zemrës i cili përbën rrugën e vetme të komunikimit shpirtror me Zotin. Kurani i Shenjtë thotë:

"Recitoje atë që të është shfaqur nga Libri dhe lutu(falu) vazhdimisht. Eshtë më se e vërtetë që lutja (falja) e mban njeriun larg të padenjës dhe të ligës; dhe sigurisht të kujtuarit e Zotit është më e madhja (forcë)" (29:45)

Prandaj Islami porosit me ngulm që të bëhet lutja (falja) si mjet i ngritjes morale të njeriut. Lutja që degjeneron në një ritual të thjeshtë, në një ceremoni të thatë e bajate që kryhet me mungesë sinqeriteti në zemër, nuk është lutja që rekomandohet si detyrë nga Islami. Një lutje e tillë demaskohet shprehimisht: "Mjerë ata që luten, të cilët janë të shkujdesur ndaj lutjeve të tyre! Dhe ata që sikur bëjnë mirë vetëm për t’u dukur" (107:4-6). Në të njejtin paragraf thuhet gjithashtu se lutja është e padobishme në qoftë se nuk të drejton nga shërbimi ndaj njerëzimit.

Në Islam nuk ka Sabbath apo ditë të caktuar për lutje. Lutja është bërë pjesë e punëve të përditshme të njeriut. Është veprimi i parë i ditës së një muslimani, është gjithashtu dhe veprimi i tij i fundit, kurse ndërmjet këtyre dy lutjeve ka dhe tri lutje të tjera gjatë orëve të punës ose të shlodhjes. Pra Islami kërkon që, edhe kur është në kulm të punës, një musliman duhet të jetë në gjendje të shkëputet nga të gjitha angazhimet materiale për një kohë të shkurtër dhe t’i kushtohet lutjes. Si rrjedhojë Islami i ka eliminuar të gjitha institucionet e murgjërisë, të cilat kërkojnë që njeriu të heqë dorë nga të gjitha angazhimet materiale gjatë tërë jetës së tij me qëllim që mbajë komunikimin shpirtror me Zotin. Islami e bën të mundur komunikimin shpirtror me Zotin edhe kur njeriu është i zënë në kulm me angazhimet e tij materiale, duke bërë kështu të mundur atë që konsiderohej e pamundur përpara ardhjes se tij.

Mënyra islamike e adhurimit (faljes) është llogaritur për të përqëndruar vëmendjen mbi një objekt: realizimin e pranisë Hyjnore. Abdesi që paraprin lutjet, pozicioni i respektuar gjatë qëndrimit në këmbë, përkulja përpara, rënia përmbys dhe pozicioni i respektuar në gjunjë – të gjitha ndihmojnë mendjen për ta realizuar praninë Hyjnore si fakt; dhe njeriut që falet i mbushet zemra me ngazëllim kur ia bën nderet Zotit te Madh jo vetëm me gojë por dhe me tërë trupin.

Ne Islam, faljet e përditshme kolektive (në grup) janë gjithashtu mjete të nivelimit të të gjitha dallimeve të rangut, ngjyrës e kombësisë, si dhe mjete që sjellin kohezion e unitet midis njerëzve gjë që përbën bazën e domosdoshme të qëndrueshmërisë së një qytetërimi. Përpara Krijuesit të tyre, të gjithë besimtarët qëndrojnë sup më sup, sundimtari bashkë më shtetasin më të përvuajtur, të pasurit me lypsarin, i bardhi me zezakun. Për më tepër, mbreti apo i pasuri në një rradhë mbrapa është i detyruar ta vërë kokën, kur bie përmbys përpara Zotit, tek këmbët e të varfërit që është përpara. Dallimet e rangut, pasurisë e ngjyrës zhduken brenda xhamisë, dhe brenda mureve të saj mbizotëron një atmosferë vllazërimi, barazie e dashurie. Në fakt, pesë faljet e përditshme kanë për qëllim, përveç të tjerave, të zbatojnë në praktikë mësimet teorike të barazisë e vllazërimit që ka në themel Islami.

Por ndërsa Islami i ka dhënë status të përhershëm institucionit të lutjes duke kërkuar që të respektohet në kohë të caktuara dhe në jë mënyrë të caktuar, ai ka lënë gjithashtu hapësirë të gjërë për vetë individin, veçanërisht në pjesën e lutjes kur ai falet vetëm, që të bëjë çfaredo lutjesh që dëshiron dhe në cilëndo gjuhë që i pëlqen, në njërin nga katër pozicionet (më këmbë, i përkulur përpara, i rënë përmbys, ose i ulur).

Agjërimi

Agjërimi është një nga ato institucione fetare të cilat, ndonëse të njohura botërisht, janë pasuruar nga Islami gjersa kanë marrë një kuptim krejt të ri. Islami e mohoi krejtësisht idenë se agjërimi shërben për të qetësuar zemërimin Hyjnor, ose për të ngjallur keqardhjen Hyjnore me anën e vuajtjes së vullnetshme, dhe në vend të saj futi agjërimin e rregullt si disiplinë shpirtrore, morale e fizike e shkallës më të lartë. Objekti i ketij institucioni është i shprehur qartë në Kuranin e Shenjtë: "Agjërimi rekomandohet si detyrim për ju . . . që ju të ruheni nga e keqja" (2:183).

Për këtë qëllim Islami ka vënë në dispozicion muajin e Ramadaan-it. Çdo ditë në këtë muaj, kërkohet që të mos hamë e të mos pijmë e të mos bëjmë marrëdhënie seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit. Por agjërim do të thotë dhe që të frenohemi nga çdo lloj ligësie. Në fakt, mosngrënia e ushqimit është vetëm një hap për ta bërë njeriun të kuptojë se në qoftë se ai mundet që, si bindje ndaj Zotit, ta privojë veten nga diçka që është përndryshe e ligjshme, atëhere sa herë më e rëndësishme është që ai ta frenojë veten nga kryerja e veprimeve të liga të cilat janë të ndaluara nga Zoti!

Nuk ka tundim më të madh se tundimi për të shuar etjen e urinë kur ke përpara ushqime e pije; megjithatë, ky tundim kapërcehet nga agjëruesi, jo nje herë a dy herë, si të ishte rastësisht, por çdo ditë rregullisht për një muaj të tërë, me një qëllim të përcaktuar për t’u afruar gjithnjë e më shumë tek Zoti. Kurdoherë që i del përpara një tundim, ai e kapërcen atë sepse është një zë i brendshëm që i thotë: "Zoti është me mua", "Zoti më shikon"; kështu prania Hyjnore bëhet një realitet për të dhe brenda tij zgjohet një vetëdije e re e një jete më të lartë – një jetë mbi atë që mbahet me anën e të ngrënit e të pirit – dhe kjo është jeta shpirtrore.

Pelegrinazhi (Haxhi)

Pelegrinazhi (haxhilleku) në Mekë, i cili qëndron si detyrë për t’u kryer nga çdo musliman një herë gjatë jetës së tij në qoftë se ai i ka mjetet financiare, përfaqëson fazen e fundit në përparimin e shtegtarit shpirtror. Ai përfaqëson fazën në të cilën njeriu i dorëzohet plotësisht vullnetit të Zotit, si dhe sakrifikon të gjitha interesat e tij dhe i flak tutje të gjitha komoditetet e tij të jetës për hir të dashurisë së Zotit. Kërkesa e parë e Pelegrinazhit, e njohur si Ihrãm, në të cilën hiqen të gjitha veshjet e kushtueshme dhe shtegtari shpirtror ka vetëm dy çarçafë pa tegela për të mbuluar trupin, përfaqëson këputjen e të gjitha lidhjeve materiale për hir të dashurisë së Zotit. Një tipar tjetër i spikatur i Pelegrinazhit është Taëãf-i, rrotullimi rreth Qabesë (Ka`ba),{2} dhe duke kryer këtë akt të jashtëm shtegtari tregon se zjarri i dashurisë Hyjnore është ndezur brenda zemrës së tij, dhe si një që ka rënë vërtet në dashuri, ai bën rrotullime rretheqark Shtëpisë së Atij që dashuron. Në fakt, e gjithë gjendja e shtegtarit dhe të gjitha devocionet e ndryshme të lidhura me Pelegrinazhin përfaqësojnë shkallën në të cilën adhuruesi, i brumosur me dashurinë e vërtetë për Qenien Hyjnore, tregon se i është dorëzuar plotësisht Zotit të tij të dashur dhe i ka flijuar të gjitha interesat e veta për hir të Tij.

Në zhvillimin vjetor të Pelegrinazhit, ka një grumbullim të pashoq të njerëzimit në Mekë: qindra mijë njerëz, të gjithë të frymëzuar nga idea e vetme që secili të ndjejë praninë e Qenies Hyjnore, te gjithë duke e përqëndruar mendjen në të Vetmen Qenie Supreme e Cila për momentin është objekti i tyre. Këtyre u shtohet dhe efekti i fuqishëm i unitetit të jashtëm i të gjithëve, të veshur njëlloj me të njejtët çift çarçafësh, duke thirrur në një gjuhë që kuptohet nga të gjithë: lubbaika Allahumma lubbaika – "Ja tek jemi, O Allah! Ja tek jemi ne praniën Tënde".Sigurisht, nuk është se Zoti gjëndet vetëm në Mekë e në asnjë vend tjetër, megjithatë ai grumbullim i jashtëzakonshëm njerëzish e ndjen praninë e Tij sikur Ai të ishte vërtetë mu në mes të tyre. E tillë është përvoja më e lartë shpirtrore e shtegtarëve, përvoja jo e hermitit që mbyllet brenda në kuvlinë e tij, por përvoja e një mase të fuqishme njerëzish të mbledhur tok në një vend.

Pelegrinazhi ka dhe një ndikim të mrekullueshëm, si asnjë institucion tjetër në botë, në sheshimin e të gjitha dallimeve të racës, ngjyrës, kombësisë, rangut apo pasurisë. Jo vetëm që njerëz të të gjitha racave dhe të gjithë vendeve mblidhen së bashku si shërbëtorë të Zotit, por nuk ka asgjë që t’i dallojë të lartët nga të ultët. Është një mizëri e jashtëzakonshme qëniesh njerëzore, të gjithë të veshur njëlloj, të gjithë duke lëvizur në të njëjtin drejtim, të gjithë vetëm më një fjalë në gojë. Në këtë mënyrë çdo muslimani i kërkohet që të kalojë një herë në jetë nëpër atë portë të ngushtë të barazisë që të çon drejt vllazërimit të gjërë. Të gjithë njerëzit janë të barabartë në lindje dhe në vdekje, por Pelegrinazhi është rasti i vetëm në të cilin ata mësohen si të jetojnë njëlloj, si të veprojnë njëlloj dhe si të ndjejnë njëlloj.

Akte të praktikueshme e kuptimplote të lutjes

Kështu pra shihet se të gjitha këto rregulla morale islamike kanë për qëllim vetëm ngritjen morale të njeriut. Islami nuk parashtron asnjë institucion që mund të thuhet se është një adhurim i pakuptimtë i Zotit. Qëllimi e objekti i të gjitha rregullave morale që parashtron ai është pastrimi i zemrës me qëllim që duke u pastruar kështu, njeriu të mund të gëzojë komunikimin shpirtror me Qenien e Shenjtë, i Cili është Burimi kryesor i gjithë pastërtisë. Shihet gjithashtu se Islami paraqet formula asketike të përdorshme në jetën e përditshme të njeriut. Pesë faljet e përditshme kërkojnë që të sakrifikohet një pjesë e vogël e kohës së tij dhe, pa ndërhyrë në jetën e tij të përditshme, i japin mundësi të kuptojë Hyjnoren që është brënda tij. Agjërimi kërkon që të hiqet dorë nga ushqimi e lëngjet, por jo në mënyrë të atillë sa ai të mos jetë në gjendje të vazhdojë punën e tij të përditshme. Pelegrinazhi është një funksion të cilin njeriu e kryen përgjithësisht vetëm një herë në jetë, prandaj dhe, duke e drejtuar njeriun që të provojë përvojën më të lartë shpirtrore, nuk ndërhyn në ndonjë shkallë të konsiderueshme në kursin e rregullt të jetës së tij.


{1} ". . . ata të cilët . . . luten vazhdimisht dhe shpërndajnë (për të ndihmuar nevojtarët) nga ato që u kemi dhënë Ne atyre".

{2} Qabeja (Ka’ba) është ndërtesa e thjeshtë, katërkëndëshe e cila mbetur mbetur si faltore Hyjnore në Mekë që nga antikiteti shumë i largët. Duhet shënuar se muslimanët nuk i luten Qabesë, e cila është, në fakt, një përkujtimore e besimit në njëshmërinë e Zotit.


 
Top
Next
Website created and published by: Ahmadiyya Anjuman Isha`at Islam Lahore Inc. U.S.A.
Contact us.